Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas stuhisë me erëra të forta dhe reshje të dendura, e cila ka shkaktuar dëme në disa pjesë të vendit.
Hoti ka deklaruar se nga moti i keq janë dëmtuar biznese, automjete të qytetarëve, prona private dhe infrastruktura, ndërsa sipas tij dëmet më të mëdha janë shkaktuar në sektorin e bujqësisë, ku shumë fermerë kanë humbur investimet dhe punën e një viti të tërë.
“Në këto momente nuk mjaftojnë vetëm deklaratat. Është detyrë e institucioneve që të dalin menjëherë në terren, të evidentojnë dëmet dhe të ndërmarrin masa konkrete për kompensimin e familjeve, bizneseve dhe fermerëve të prekur”, ka shkruar Hoti.
Ai ka kërkuar nga institucionet që të mobilizojnë të gjithë mekanizmat në dispozicion për t’u ofruar ndihmë qytetarëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.
“Asnjë qytetar nuk duhet të mbetet vetëm përballë pasojave të kësaj fatkeqësie. Mbështetja në këto momente është jo vetëm një detyrim institucional, por edhe një përgjegjësi njerëzore”, ka theksuar Hoti.
Reagimin e tij ai e ka shoqëruar edhe me fotografi nga dëmet e raportuara në pjesë të ndryshme të vendit.

