Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se çdo sulm i ardhshëm ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit do të përballet me kundërpërgjigje ushtarake amerikane ndaj infrastrukturës strategjike iraniane.
Në një postim në rrjetin social “Truth Social”, Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të godasin objektiva të rëndësishme në Iran në rast të sulmeve ndaj anijeve në këtë zonë të rëndësishme detare.
“Nga kjo pikë e tutje, sa herë që Republika Islamike e Iranit qëllon një anije në Ngushticën e Hormuzit, qoftë me raketë, dron apo çdo lloj arme tjetër, Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë dhe shkatërrojnë një urë ose termocentral, përfshirë ato pranë ose në kryeqytetin Teheran”, ka shkruar Trump.
Presidenti amerikan gjithashtu ka përmendur si objektiv të mundshëm kompleksin e njohur si “Pickaxe Mountain”, një strukturë nëntokësore për të cilën Uashingtoni dyshon se mund të ketë lidhje me programin bërthamor të Iranit.
“Ne do ta godasim atë zonë shumë shpejt dhe shumë rëndë”, është shprehur Trump.
Deklaratat vijnë në një periudhë të tensioneve të larta mes SHBA-së dhe Iranit, veçanërisht rreth sigurisë së transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë.

