Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar tre persona të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit”.
Sipas njoftimit, ndalimi është bërë më 22 korrik 2026 nga Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas disa muajsh hetime dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.
Tre të dyshuarit janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit për 48 orë. Dy prej tyre janë persona zyrtarë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme – njëri zyrtar në Divizionin për të Huaj dhe tjetri zyrtar në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).
Sipas dyshimeve fillestare, personat me inicialet F.Sh. dhe G.J., në cilësinë e zyrtarëve publikë, dyshohen për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa personi me inicialet D.K. dyshohet për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se F.Sh. dhe G.J., duke vepruar në bashkëkryerje, kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacion përkatës dhe duke krijuar mundësi për përfitime pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërkaq, i dyshuari D.K. dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që personave të tjerë t’u mundësohej aplikimi dhe pajisja në mënyrë të kundërligjshme me leje qëndrimi në Republikën e Kosovës.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për caktimin e masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Institucionet kompetente kanë theksuar se do të vazhdojnë angazhimin në luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik, si dhe në garantimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
