Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) do të nisë sot zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktiviteti do të mbahet në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku qytetarët do të kenë mundësi të nënshkruajnë peticionin në mbështetje të ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal.
Sipas IKD-së, nisma mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për Nismat Legjislative, me synim forcimin e sundimit të ligjit dhe adresimin e çështjeve që lidhen me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, ka deklaruar se kjo nismë është ndërmarrë si reagim ndaj moszbatimit të vazhdueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Është veprimi i parë për njoftimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për inicimin e kësaj nisme, e cila mbështetet në Kushtetutë dhe në Ligjin për Nismat Legjislative. Arsyet kryesore lidhen me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe me inkriminimin e veprimeve të akterëve politikë në pushtet që cenojnë garën politike”, është shprehur Shala.
Përmes kësaj nisme, IKD synon të sigurojë mbështetjen e qytetarëve për ndryshimet e propozuara, të cilat më pas do t’i procedohen Kuvendit të Kosovës në përputhje me procedurat ligjore. Burimi : Ekonomia Online.

