Sipas njoftimit të Ministrisë, po shqyrtohen kërkesat e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për lirimin e pronave ujore të cilat janë uzurpuar ose tjetërsuar në kundërshtim me ligjin.
Një nga aksionet e fundit është zhvilluar në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit të Ministrisë dhe Policisë së Kosovës janë rrënuar 16 objekte të ndërtuara pa leje në prona ujore nën administrimin e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”.
Ministria ka theksuar se të gjitha palët e përfshira në këtë aksion janë njoftuar paraprakisht dhe se procedurat janë zhvilluar në përputhje me dispozitat ligjore.
Kontrollet zgjerohen në Batllavë dhe Badovc
Në kuadër të të njëjtit plan, Ministria ka bërë të ditur se po shqyrton edhe rastet e uzurpimeve dhe ndërtimeve pa leje rreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit.
Këto dy zona konsiderohen burime të rëndësishme për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetarëve të Kosovës, ndërsa Inspektorati i MMPH-së po vazhdon identifikimin e shkeljeve të mundshme.
Pas përfundimit të procesit të verifikimit, pritet ndërmarrja e masave ligjore për rikthimin e këtyre hapësirave në funksion të interesit publik.
Monitorim edhe në parqe kombëtare
Përveç zonave ujore, Inspektorati i Ministrisë ka bërë të ditur se po vazhdon monitorimin e zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare.
Ministria ka deklaruar se synimi i saj është mbrojtja e resurseve natyrore përmes zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit me institucionet tjera, duke parandaluar çdo formë të uzurpimit dhe ndërtimit të paligjshëm.

