Një operacion i përbashkët ndërkombëtar kundër trafikut të drogës ka çuar në sekuestrimin e mbi 2.6 tonëve kokainë pranë brigjeve të Lisbonës dhe arrestimin e katër personave, mes tyre edhe një shtetas shqiptar.
Operacioni u koordinua nga Prokuroria Antimafia e Brescias në Itali dhe u zhvillua nga Guardia di Finanza, përmes Komandës Operative Aeronavale dhe njësisë speciale S.C.I.C.O., në bashkëpunim me autoritetet e Portugalisë dhe Spanjës.
Gjatë aksionit u ndalua një gomone oqeanike e tipit “go-fast”, e cila u bllokua pranë brigjeve të Lisbonës nga Policia Detare portugeze.
Në bord ndodheshin katër persona, të cilët u arrestuan. Bëhet fjalë për dy shtetas spanjollë, një shtetas të Gjibraltarit dhe një shtetas shqiptar, i cili banonte në Mantova dhe kishte vendbanim në provincën e Brescias, në Itali.
Sipas autoriteteve italiane, sasia e sekuestruar e kokainës ka një vlerë prej rreth 78 milionë euro në tregun e shumicës. Nëse do të shpërndahej në tregun e paligjshëm, droga do të gjeneronte fitime që llogariten në rreth 500 milionë euro.
Hetimet kanë zbuluar se grupet e krimit të organizuar po përdorin gjithnjë e më shpesh mjete lundruese të tipit “go-fast”, me gjatësi nga 10 deri në 16 metra dhe të pajisura me disa motorë të fuqishëm, për transportin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike.
Monitorimi i mjetit u krye vazhdimisht nga avionë të Guardia di Finanza, të pajisur me teknologji të avancuar për mbikëqyrjen detare, në kuadër të kontrollit të kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Autoritetet vijojnë hetimet për të identifikuar rrjetin kriminal që qëndron pas transportit të kësaj sasie të madhe kokaine.

