Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka nisur procedurat për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel nga organizata BIRN, duke e lidhur këtë vendim me mungesën e transparencës rreth një çështjeje që, sipas tij, ka ngritur shqetësim publik.
Në një reagim publik drejtuar drejtoreshës ekzekutive të BIRN-it, Jeta Xharra, Rama tha se përgjigjja e saj nuk ka sqaruar çështjen kryesore, por, sipas tij, ka shtuar edhe më shumë pikëpyetje.
“Deklarata se ‘e dimë kush është, por nuk e tregojmë’ është pikërisht ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese. Nëse identiteti dihet, atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë: Kënd po e mbroni?”, ka shkruar Rama.
Ai theksoi se, përderisa këto pyetje mbeten pa përgjigje, Komuna e Prishtinës nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Sipas Ramës, si hap i parë është dërguar njoftimi zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes që i mundëson BIRN-it shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel.
“Nuk mund të lejojmë që hapësirat publike, të cilat janë pronë e qytetarëve të Prishtinës, të shfrytëzohen nga organizata që, me veprimet e tyre, cenojnë interesin e qytetarëve dhe refuzojnë transparencën për çështje që lidhen drejtpërdrejt me besimin e publikut”, deklaroi ai.
Kryetari i Prishtinës paralajmëroi gjithashtu se në ditët në vijim do të rishqyrtohen edhe marrëveshje të tjera për shfrytëzimin e hapësirave publike që janë ndarë ose financuar nga Kryeqyteti.
Reagimi i Ramës vjen pas debatit publik mes tij dhe BIRN-it lidhur me publikimin e një audio-incizimi dhe mënyrën e trajtimit të identitetit të personit të përfshirë në këtë rast.

