Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur mbledhjen konstituive të Kryesisë së re, pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve të brendshme të partisë.
Kryetari i Komunës së Gjakovës dhe një nga drejtuesit e AAK-së, Ardian Gjini, bëri të ditur se gjatë mbledhjes janë miratuar agjenda vjetore e punës dhe plani i aktiviteteve, të cilat do të zbatohen në degët e partisë në të gjithë Kosovën.
Përveç çështjeve organizative, Kryesia diskutoi edhe zhvillimet aktuale politike në vend pas zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova në procesin e krijimit të institucioneve.
Sipas Gjinit, AAK mbetet e përkushtuar ndaj një procesi politik që garanton stabilitet institucional, përgjegjësi në qeverisje dhe një orientim të qartë për të ardhmen e vendit.
Ai theksoi se gjashtë pikat programore të propozuara nga Aleanca përfaqësojnë parime kyçe për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sigurisë kombëtare.
“Çdokush që synon ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme duhet ta kuptojë se këto projekte strategjike janë të panegociueshme për të ardhmen e Kosovës”, ka deklaruar Gjini.
AAK ka paralajmëruar se në periudhën në vijim aktivitetet organizative dhe politike do të intensifikohen në të gjitha degët e saj në nivel vendi.

