Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim Ministrin e Deleguar për Evropën të Republikës Franceze, Benjamin Haddad, me të cilin ka nënshkruar pesë marrëveshje dypalëshe që synojnë thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Sipas Kurtit, vizita e ministrit francez vjen në vazhdën e takimit që ai zhvilloi me presidentin francez Emmanuel Macron më 17 mars në Pallatin Elize, duke e cilësuar atë si një hap të ri në forcimin e partneritetit mes dy shteteve.
Ndër marrëveshjet e nënshkruara janë Marrëveshja për Ekstradim dhe Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, të cilat synojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të drejtësisë në luftën kundër krimit dhe në garantimin e llogaridhënies.
Po ashtu, është nënshkruar edhe një marrëveshje kredie në vlerë prej 60 milionë eurosh, e cila, së bashku me themelimin e Komitetit Francë–Kosovë, do të mbështesë investimet infrastrukturore, përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 dhe projektet që lidhen me trashëgiminë afatgjatë të këtij organizimi.
Në fushën e arsimit dhe kulturës, palët kanë nënshkruar edhe një marrëveshje administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge, me synimin për të zgjeruar mundësitë e mësimit të saj dhe për të afruar Kosovën me hapësirën frankofone.
Gjatë takimit, Kurti dhe Haddad diskutuan edhe për integrimin evropian të Kosovës, sigurinë rajonale, bashkëpunimin ekonomik dhe forcimin e partneritetit dypalësh.
Kryeministri në detyrë tha se ka kërkuar mbështetjen e Francës për avancimin e Kosovës në proceset integruese, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Kurti e falënderoi ministrin francez për vizitën dhe angazhimin në thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar se marrëveshjet e nënshkruara dëshmojnë se partneriteti Kosovë–Francë po konkretizohet përmes projekteve, investimeve dhe rezultateve në dobi të qytetarëve.

