Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas incidentit në Kuvend, ku deputeti Agron Shehaj akuzohet se ka marrë një dokument të klasifikuar që lidhet me një marrëveshje ushtarake ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama e akuzoi Shehajn se, pasi mori dokumentin, u largua me vrap nga ambientet e Kuvendit. Kryeministri përdori një gjuhë të ashpër ndaj deputetit të opozitës, duke e cilësuar veprimin e tij si grabitje të një dokumenti të klasifikuar.
Rama i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet dhe të veprojë në përputhje me ligjin për rastin, duke theksuar se personat që përfshihen në marrjen e dokumenteve të klasifikuara duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Kryeministri shprehu gjithashtu keqardhje për punonjësen e Kuvendit, e cila u rrëzua në shkallë gjatë përpjekjes për të ndaluar Shehajn, duke shtuar se është lehtësuese që ajo nuk pësoi lëndime serioze.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në skenën politike shqiptare dhe pritet të jetë objekt i shqyrtimit nga organet kompetente, ndërsa deri tani nuk ka një qëndrim zyrtar nga Prokuroria lidhur me rastin.

