Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, do të presë të hënën në Londër presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në vizitën e parë të një lideri të huaj që nga marrja e detyrës nga kreu i ri i qeverisë britanike.
Takimi zhvillohet një ditë përpara vizitës së Zelenskyt në Uashington, ku ai pritet të zhvillojë bisedime me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas Downing Street, Burnham do të riafirmojë mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën dhe angazhimin për të vazhduar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve.
“Britania qëndron krah Ukrainës dhe mbështetja jonë mbetet e palëkundur. Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë tonë dhe ne nuk do të tërhiqemi derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe afatgjatë”, citohet të ketë deklaruar Burnham.
Gjatë vizitës, dy liderët do të vizitojnë një bazë detare britanike, ku do të takohen me ushtarakë britanikë dhe ukrainas të përfshirë në stërvitjen detare dhe kundërminave “Sea Breeze”, në të cilën gjatë tre javëve të fundit kanë marrë pjesë rreth 200 marinarë dhe ushtarakë ukrainas.
Qeveria britanike pritet gjithashtu të njoftojë ndarjen me Ukrainën të pronës intelektuale të sistemit elektronik “Stone Cloak”, një teknologji që instalohet në dronë dhe ndihmon në shmangien e zbulimit nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore. Sipas Londrës, kjo do t’i mundësojë Kievit ta prodhojë sistemin në shkallë të gjerë, ndërsa teknologjia do të integrohet edhe në kapacitetet e ardhshme britanike për goditje në distancë.
Në një intervistë për Sky News, Zelensky deklaroi se synon të hapë “një faqe të re” në bashkëpunimin me Britaninë, përmes një marrëveshjeje për zhvillimin e dronëve dhe ndërtimit të një fabrike për prodhimin e tyre në territorin britanik.
Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu se Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, duke paralajmëruar se Rusia mund të rrisë prodhimin e raketave balistike.
Sipas Downing Street, Mbretëria e Bashkuar ka ofruar rreth 25 miliardë paund mbështetje për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, prej të cilave 16 miliardë paund janë ndihmë e drejtpërdrejtë ushtarake.
Pas vizitës në Londër, Zelensky do të udhëtojë drejt Uashingtonit, ku të martën do të takohet me presidentin Trump. Ai pritet gjithashtu të marrë pjesë në ceremoninë mortore të senatorit amerikan Lindsey Graham, i cili ndërroi jetë më herët gjatë këtij muaji.
