Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se të mërkurën do të zbatohen kufizime të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara.
Sipas ministrisë, kufizimi do të vlejë vetëm në autoudhë, në intervalin kohor nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat pritet të arrijnë ose të tejkalojnë 32°C.
Në njoftim theksohet se nuk do të ketë kufizime për qarkullimin e automjeteve në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, ku trafiku do të zhvillohet normalisht.
Nga ky vendim përjashtohen:
- automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike;
- shërbimet emergjente;
- institucionet shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufizimin e përkohshëm, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës rrugore dhe garantimin e sigurisë në komunikacion gjatë temperaturave të larta.

