Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Qeveria e Kosovës me rastin e 25-vjetorit të rënies së Tahir Sinanit, ku e vlerësoi atë si një nga luftëtarët më të spikatur të çështjes kombëtare dhe të luftës për liri.
Kurti theksoi se kjo është akademia e parë përkujtimore për Tahir Sinanin e organizuar nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës.
“Jam i nderuar që në 25-vjetorin e rënies së Tahir Sinanit, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, të jem pjesë e kësaj akademie përkujtimore kushtuar gjeneral Sinanit, luftëtarit të paepur të lirisë”, tha Kurti.
“UÇK fitoi një nga oficerët më të dobishëm”
Duke folur për veprimtarinë e Tahir Sinanit, Kurti tha se ai u dallua në luftërat çlirimtare të shqiptarëve, duke dhënë kontribut të rëndësishëm jo vetëm si luftëtar, por edhe si oficer i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, angazhimi i Sinanit në UÇK gjatë vitit 1998 solli një oficer me përvojë, i cili përgatiti dhe trajnoi qindra luftëtarë para se të merrte pjesë vetë në vijën e parë të frontit.
Kurti rikujtoi gjithashtu se, pas përfundimit të luftës në Kosovë, Tahir Sinani vazhdoi angazhimin e tij në Luginën e Preshevës dhe më pas në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut gjatë konfliktit të vitit 2001.
Në përfundim të fjalës së tij, ai bëri homazhe për figurën e komandantit.
“Lavdi veprës patriotike dhe luftës çlirimtare të Tahir Sinanit mes luftëtarëve të lirisë kombëtare”, u shpreh Kurti.
Rrezart Sinani: Trashëgimia më e madhe ishte nderi dhe krenaria
Në emër të familjes foli edhe Rrezart Sinani, djali i Tahir Sinanit, i cili tha se me kalimin e viteve ai dhe familja e tij e kuptuan gjithnjë e më shumë madhështinë e sakrificës së babait.
Ai theksoi se komandanti nuk u la pas fëmijëve pasuri materiale, por vlerat më të çmuara.
“Ai nuk na la pas pasuri materiale, por na la krenarinë, emrin e pastër, nderin dhe respektin”, tha Rrezart Sinani.
Në fund të fjalës së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve që ta mbrojnë dhe ta forcojnë shtetin për të cilin u flijuan dëshmorët.
“Nderimi më i madh për ta është ta duam, ta mbrojmë dhe ta forcojmë çdo ditë vendin për të cilin ata u flijuan. Lavdi dëshmorëve të kombit!”, përfundoi ai.

