Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të vendoset kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, për shkak të temperaturave të larta.
Sipas njoftimit zyrtar, kufizimi do të zbatohet në autoudhët e Kosovës nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë ose të tejkalojnë 32 gradë Celsius.
Ministria bën të ditur se në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime, ndërsa qarkullimi do të zhvillohet normalisht.
Nga ky vendim përjashtohen:
- automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike;
- automjetet e shërbimeve emergjente;
- automjetet e institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve të rënda që të respektojnë kufizimet dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre në përputhje me orarin e përcaktuar, me qëllim ruajtjen e sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjen e infrastrukturës rrugore nga dëmtimet e shkaktuara nga temperaturat e larta.

