Këshilli Drejtues i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka emëruar Fitore Malajn ushtruese të detyrës së Rektores.
Vendimi u mor në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues, të mbajtur më 31 korrik 2026, me qëllim garantimin e vazhdimësisë institucionale dhe funksionimit të rregullt të universitetit.
Fitore Malaj është profesore në Fakultetin e Edukimit dhe ka një përvojë të gjatë në menaxhimin universitar. Për gjashtë vjet ajo ka drejtuar Zyrën për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, ku ka udhëhequr procese kyçe në fushën e sigurimit të cilësisë dhe zhvillimit akademik. Ajo ka qenë gjithashtu anëtare themeluese e Këshillit Drejtues të universitetit, duke kontribuar për pesë vjet në proceset e qeverisjes dhe zhvillimit strategjik të institucionit.
Pas emërimit, Malaj falënderoi Këshillin Drejtues për besimin e dhënë, duke theksuar se detyrën e re e konsideron një përgjegjësi të madhe.
“Këtë detyrë e konsideroj përgjegjësi dhe jo privilegj. Do të angazhohem me përkushtim për funksionimin e mirë të universitetit, avancimin e proceseve akademike dhe zhvillimin e mëtejshëm të institucionit,” u shpreh ajo.
Po ashtu, Këshilli i uroi suksese ushtrueses së detyrës së Rektores, duke vlerësuar se përvoja e saj akademike dhe drejtuese do të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit institucional dhe në vazhdimin e zhvillimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.
Sipas njoftimit zyrtar, universiteti do të vazhdojë përmbushjen e përgjegjësive të tij akademike dhe institucionale në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet e brendshme të institucionit.
