Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është përgjigjur zyrtarisht ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një takim konsultativ, duke ritheksuar se nuk do të jetë pjesë e shumicës qeverisëse dhe se do të vazhdojë të veprojë nga opozita.
Në letrën e nënshkruar nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, partia i referohet takimit të zhvilluar më 10 korrik, si dhe qëndrimeve të saj të shprehura publikisht, duke theksuar se pozicioni politik mbetet i pandryshuar.
“Në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në përgjigjen zyrtare të PDK-së.
PDK: Përgjegjësia për krijimin e institucioneve i takon Kurtit
Në letër, PDK shpreh pritjen që Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026, të marrë përgjegjësinë për arritjen e një marrëveshjeje me subjektet e tjera politike të përfaqësuara në Kuvend, me qëllim formimin e institucioneve të reja.
Sipas PDK-së, përgjegjësia për sigurimin e shumicës parlamentare i takon subjektit që ka dalë i pari në zgjedhje.

