Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, me sulme të ndërsjella gjatë natës që kanë shkaktuar viktima dhe dëme në objekte strategjike në të dyja vendet.
Sipas mediave ndërkombëtare, dy depo të kompanisë Wildberries, e njohur si “Amazoni rus”, janë goditur nga sulmet ajrore ukrainase gjatë natës së të hënës. Një objekt tjetër, i lidhur me të njëjtën kompani, është dëmtuar gjithashtu në afërsi të Moskës.
Kjo është hera e radhës që Ukraina godet objektet e kompanisë Wildberries, për të cilat Kievi pretendon se përdoren për furnizimin logjistik të ushtrisë ruse. Nga ana tjetër, Moska i ka mohuar këto pretendime.
Sipas autoriteteve lokale ruse, të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur në një zonë industriale rreth 69 kilometra në jug të Kremlinit. Zyrtarët nuk kanë konfirmuar nëse objekti i goditur operohej nga Wildberries.
Po ashtu, autoritetet ruse konfirmuan se dy qendra të tjera të Wildberries janë goditur në rajonet e Shën Petersburgut dhe Tverit.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 320 dronë ukrainas gjatë natës.
Ndërkohë, edhe sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë shkaktuar viktima. Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën katër persona janë vrarë si pasojë e bombardimeve të kryera në disa rajone të vendit.
Luftimet mes dy vendeve vazhdojnë të intensifikohen, ndërsa sulmet me dronë dhe raketa po shtrihen gjithnjë e më shumë mbi objektet logjistike dhe infrastrukturën strategjike në të dyja anët e konfliktit.
