Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk është arritur ende një marrëveshje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas takimit rreth treorësh me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Kurti tha se takimi ka shërbyer për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit dhe qasjet e ndryshme politike, por sipas tij, për një marrëveshje përfundimtare nevojitet një dakordim që respekton rezultatin e zgjedhjeve.
“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme dhe mundësitë. Kemi nevojë për një marrëveshje politike që e respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron në kontribut për stabilitet institucional”, tha Kurti.
Ai theksoi se askush nuk dëshiron zgjedhje të reja, por paralajmëroi se mungesa e një marrëveshjeje politike mund ta çojë vendin drejt një situate të re zgjedhore.
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, por nëse nuk do të kemi marrëveshje dhe hapa përpara, pavarësisht mosdëshirës për zgjedhje të reja, ato fatkeqësisht mund të shkaktohen”, u shpreh kryeministri në detyrë.
VV e gatshme për bashkëpunim me LDK-në
Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e interesuar për bashkëpunim me LDK-në, duke argumentuar se vendi ka nevojë për stabilitet dhe zhvillim më të shpejtë institucional.
“Jemi të interesuar dhe të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në, sepse vendi ynë ka nevojë për progres të përshpejtuar”, deklaroi ai.
Duke folur për çështjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, Kurti përsëriti qëndrimin e tij se kjo pozitë nuk duhet të jetë pjesë e pushtetit politik, por një rol përfaqësues i Republikës.
“Qëndrimi ynë është që pozita e presidentit nuk do të duhej të ishte pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Emri konkret duhet të jetë konsensual dhe gjithëpërfshirës”, tha Kurti.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut vjen në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike, pas situatës së krijuar pas zgjedhjeve dhe nevojës për formimin e institucioneve të reja.

