Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar si pozitiv dhe konstruktiv takimin treorësh me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, duke bërë të ditur se diskutimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Pas përfundimit të takimit të mbajtur në objektin e Kuvendit të Kosovës, Abdixhiku tha se LDK-ja ka hyrë në procesin e bisedimeve me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin e zgjedhjeve dhe me synimin për të shmangur një proces të ri zgjedhor.
“Morëm pjesë në takimin e dytë pas 7 qershorit me vullnet të mirë, me respektim të rezultatit zgjedhor dhe me gatishmërinë si LDK për të shmangur zgjedhjet e reja. Kështu e respektojmë interesin e LDK-së dhe të shtetit”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se gjatë takimit janë diskutuar çështje programore, politike dhe vizioni strategjik për të ardhmen e vendit.
“Ishte një takim i mirë dhe i mbarë. Diskutuam për ndryshime programore, politike dhe për të ardhmen strategjike. Do të vazhdojmë përpjekjet që edhe në ditët në vijim të kemi diskutime më të thelluara”, u shpreh lideri i LDK-së.
LDK kërkon marrëveshje gjithëpërfshirëse
Abdixhiku theksoi se partia e tij mbetet në qëndrimet e prezantuara më herët dhe se për formimin e institucioneve kërkohet një marrëveshje që garanton balancë institucionale dhe demokratike.
“Qëndrojmë brenda parimeve tashmë të bëra publike. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ruhet balanca institucionale dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve. Brenda këtyre balancave, LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, sepse në të kundërt konstelacioni politik nuk do ta ketë fuqinë e nevojshme”, tha ai.
Kryetari i LDK-së bëri të ditur se takimet me Kurtin do të vazhdojnë, ndërsa paralajmëroi se mungesa e një marrëveshjeje do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Nëse nuk bëjmë asgjë, i vetmi skenar i garantuar janë zgjedhjet e reja”, deklaroi Abdixhiku.
Takimi mes dy liderëve politikë vjen në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje institucionale pas zgjedhjeve dhe për të shmangur një krizë të re politike në vend.
