Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, Özkan Ulutaş, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe në rajon.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve të rregullta dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit të KFOR-it.
Gjatë bisedës u trajtuan çështje që lidhen me gjendjen e sigurisë, si dhe bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës, institucioneve të sigurisë dhe KFOR-it në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.
Kryeministri Kurti vlerësoi komunikimin e mirë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me KFOR-in, duke theksuar gatishmërinë e Qeverisë për të vazhduar koordinimin e ngushtë në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.
Në fund të takimit, Kurti e falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për kontributin e KFOR-it dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet e Republikës së Kosovës.

