Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa seanca konstituive do të vazhdojë sot në orën 11:00.
Vendimi për vazhdimin e seancës është marrë nga kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, edhe pse afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese përfundoi në mesnatën e së premtes.
Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra nga partitë opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e kanë cilësuar atë si shkelje të rendit kushtetues.
Seanca konstituive nuk u zhvillua të enjten, pasi Dehari vendosi ta shtyjë atë për një kohë të papërcaktuar, pas kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për më shumë kohë për zhvillimin e bisedimeve politike me partitë e tjera parlamentare.
Qëllimi i këtyre bisedimeve ishte arritja e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja dhe tejkalimin e krizës së zgjatur politike.
Opozita kundërshton vendimin
Të tria partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – e kundërshtuan vendimin për shtyrjen e seancës përtej afatit kushtetues.
Opozita kërkoi që seanca të vazhdonte gjatë së premtes, para skadimit të afatit në mesnatë.
Në shenjë proteste, disa deputetë opozitarë qëndruan në ambientet e Kuvendit deri në mesnatë.
Nëse seanca vazhdon sot, deputetët pritet të rikthehen te pikat e mbetura të procesit të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Ekspertët me qëndrime të ndryshme
Çështja ka shkaktuar edhe debate mes ekspertëve të së drejtës kushtetuese.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e ka cilësuar caktimin e vazhdimit të seancës për të shtunën si “shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”.
Sipas Cakollit, kryesuesi i Kuvendit kishte për obligim ta thërriste vazhdimin e seancës brenda ditës së premte, në mënyrë që procesi të mund të përfundonte deri në orën 23:59.
Ai argumenton se afati 48-orësh për pauzën e seancës është një kufizim procedural dhe se ai duhet të zbatohet brenda afatit kushtetues.
Në anën tjetër, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dhënë një interpretim tjetër. Sipas tij, mosrespektimi i afatit për konstituimin e Kuvendit përbën shkelje kushtetuese, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se seanca nuk mund të mbahet pas skadimit të afatit.
Jakaj ka theksuar se mungon një sanksion konkret juridik për rastin kur Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar.
Bisedimet politike pa marrëveshje
Kriza rreth konstituimit të Kuvendit është e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja.
Në një përpjekje të fundit për të zhbllokuar situatën, kryeministri në detyrë Albin Kurti i dërgoi të premten një letër kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke i ofruar partisë së tij postin e kryetarit të Kuvendit.
Në këmbim, sipas propozimit të raportuar, Kurti kërkoi që 22 deputetët e PDK-së të qëndronin në sallë gjatë procesit të votimit për presidentin e Kosovës.
Megjithatë, marrëveshja nuk u arrit.
Më herët, LVV-ja dhe LDK-ja dështuan të gjenin kompromis edhe pas takimit të katërt ndërmjet liderëve të tyre, Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.
Të dy liderët pranuan se dallimet mes dy subjekteve mbeten të mëdha dhe se arritja e një marrëveshjeje politike është e vështirë.
Një nga çështjet kryesore të mosmarrëveshjes është zgjedhja e presidentit të Kosovës, post të cilin LDK-ja kërkon ta ketë pjesë të marrëveshjes për zhbllokimin e institucioneve.
Vazhdimi i seancës sot në orën 11:00 pritet të jetë një tjetër moment kyç për të ardhmen e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe për tejkalimin e krizës institucionale në Kosovë.

