Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën e krijuar si “absurde dhe të papranueshme”.
Sipas KDI-së, afati detyrues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar pa u përmbyllur procesi.
Instituti thekson se, brenda këtij afati, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë ekskluzive për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Brenda këtij afati, LVV-ja nuk e ushtroi të drejtën dhe përgjegjësinë ekskluzive për të propozuar kandidatin për Kryetar. Edhe pas skadimit të afatit, ajo refuzoi sërish ta paraqiste kandidaturën dhe kërkoi kohë shtesë, duke e vazhduar me vetëdije bllokadën institucionale”, thuhet në reagimin e KDI-së.
KDI: Çështja tashmë është kushtetuese
Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, situata tashmë ka tejkaluar përmasat e një mosmarrëveshjeje politike ndërmjet partive parlamentare.
KDI vlerëson se skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese lidhur me vlefshmërinë e procedurës së mëtejshme.
Sipas këtij instituti, një kandidaturë e paraqitur me vonesë, një ndërprerje e re 48-orëshe apo një marrëveshje eventuale politike nuk mund t’i eliminojnë vetvetiu pasojat e mosveprimit brenda afatit kushtetues.
“Asnjë subjekt politik nuk mund t’i përcaktojë njëanshëm këto pasoja apo të përpiqet t’i zgjidhë ato përmes krijimit të një fakti të kryer”, thekson KDI.
Instituti shton se kompetenca për të përcaktuar pasojat kushtetuese të situatës i takon Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës.
KDI kërkon ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese
Përballë situatës së krijuar, KDI vlerëson se së paku dhjetë deputetë duhet t’i drejtohen menjëherë Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar vendimet dhe veprimet e ndërmarra pas skadimit të afatit.
Sipas KDI-së, Gjykata duhet të japë përgjigje për disa çështje themelore:
- nëse mosushtrimi brenda afatit i së drejtës për propozimin e kandidatit e ka shteruar mandatin e kësaj përbërjeje për përfundimin e procesit konstituues;
- çfarë vlefshmërie juridike kanë veprimet e ndërmarra pas skadimit të afatit;
- cila procedurë kushtetuese duhet të ndiqet më tej, përfshirë edhe mundësinë e hapjes së rrugës për zgjedhje të reja.
KDI paralajmëron se çdo zgjidhje e improvizuar politike mund të krijojë precedent për funksionimin e institucioneve të Republikës.
“Kosova ka nevojë për institucione që derivojnë nga një zgjidhje kushtetuese, jo për zgjidhje politike të improvizuara”, thuhet në reagim.
Sipas KDI-së, çdo hap i ardhshëm duhet të ketë bazë të qartë kushtetuese, në mënyrë që të shmanget krijimi i precedentëve të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

