Ka nisur vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për Legjislaturën e 11-të, në një situatë të pazakontë institucionale, pasi afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka skaduar.
Në seancë janë të pranishëm 109 deputetë, nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend.
Pas konstatimit të kuorumit dhe hapjes së seancës, kryesuesi Avni Dehari i ka dhënë fjalën përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Megjithatë, Kurti ka kërkuar kohë shtesë për zhvillimin e takimeve me partitë opozitare, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje politike për tejkalimin e ngërçit institucional.
Kërkesa e Kurtit për shtyrje të mëtejshme vjen në një moment kur Kuvendi tashmë ka kaluar afatin kushtetues për konstituim. Për këtë arsye, mbetet për t’u parë se si do të vlerësohet juridikisht dhe proceduralisht kërkesa për një shtyrje të re të procesit.
Tension në sallë, deputetja e AAK-së hedh vezë në drejtim të grupit të LVV-së
Gjatë zhvillimit të seancës është shënuar edhe një incident.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në shenjë revolte ndaj zhvillimeve në Kuvend, ka hedhur vezë në drejtim të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Incidenti ka shkaktuar tensione në sallë, ndërsa seanca ka vijuar në një atmosferë të tensionuar politike.
Vazhdimi i seancës pritet të jetë vendimtar për të parë nëse partitë parlamentare do të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe konstituimin e institucioneve të reja.
Ndërkohë, çështja e vlefshmërisë së veprimeve procedurale të ndërmarra pas skadimit të afatit kushtetues pritet të mbetet një nga çështjet kryesore të debatit politik dhe juridik.
