Rama reagoi përmes një postimi të gjatë në rrjetin social X, pas përplasjes së fundit diplomatike mes Tiranës dhe Beogradit lidhur me deklaratat për mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhën e lumit Ibër.
Në reagimin e tij, Rama theksoi se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se mbështetja e Tiranës për Kosovën nuk lidhet me ndonjë projekt për “Shqipëri të Madhe”.
“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe nuk ka nevojë të shpikë ndonjë. As nuk na duhet një ‘Shqipëri e Madhe’ për të qëndruar pranë Kosovës”, shkroi Rama.
Ai nënvizoi se Kosova është shtet më vete dhe se shqiptarët e Kosovës kanë institucionet dhe të drejtën e tyre për të vendosur për të ardhmen.
“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e humbi mund ta kthejë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak të gatshme për kompromis”, deklaroi kryeministri shqiptar.
Përplasja për lumin Ibër
Rama e riktheu vëmendjen te çështja që, sipas tij, qëndron në themel të debatit: lumi Ibër dhe karakteri i tij ndërkufitar.
Sipas tij, Serbia mund të menaxhojë burimet ujore brenda juridiksionit të saj, por nuk mund të pretendojë se pasojat e një ndërhyrjeje të mundshme do të ndalen në kufirin shtetëror.
“Çështja fillestare mbetet pikërisht atje ku e la Shqipëria: Ibri është një sistem ujor ndërkufitar. Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo çfarë nuk mund ta argumentojë me arsye është se pasojat e mundshme për një vend tjetër ndalen si me magji te kufiri serb”, shkroi Rama.
Ai shtoi se pikërisht për këtë arsye ekzistojnë parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.
“Lumenjtë kanë zakonin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo pikat e bisedës diplomatike”, tha Rama.
Rama: Të drejtat e serbëve në Kosovë duhet të mbrohen
Në reagimin e tij, kryeministri shqiptar foli edhe për komunitetin serb në Kosovë, duke theksuar se të drejtat, siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e fetare e këtij komuniteti duhet të respektohen.
“Shqipëria kurrë nuk ka pasur vështirësi ta thotë këtë, sepse kjo është thjesht ajo që një shtet demokratik ua detyron qytetarëve të vet”, shkroi ai.
Rama kritikoi ndërkohë atë që e konsideroi si kontradiktë në diskursin politik serb: kundërshtimin e ekspansionizmit territorial, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdimin e referimit ndaj territorit të Kosovës si pjesë e Serbisë.
Sipas tij, e ardhmja e Ballkanit duhet të jetë brenda një Evrope ku kufijtë humbin gradualisht rëndësinë e tyre si burim konfliktesh, por kjo kërkon fillimisht pranimin e kufijve ekzistues.
“Nuk ka asnjë hartë të fshehtë”
Rama përsëriti se Shqipëria nuk ka ndonjë agjendë territoriale të fshehtë dhe se mbështetja ndaj Kosovës është pjesë e një qëndrimi të hapur politik.
“Shqiptarët e Kosovës janë shqiptarë të Kosovës. Shqipëria do të qëndrojë pranë tyre dhe pranë Republikës së tyre sepse ndajmë histori, gjuhë, familje dhe të ardhme, por mbi të gjitha sepse një Kosovë e lirë, demokratike dhe e sigurt është një shtet evropian legjitim dhe pjesë e domosdoshme e stabilitetit të rajonit tonë”, theksoi ai.
Rama tha se Shqipëria dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe që i gjithë rajoni të jetë pjesë e Evropës.
“Por fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë t’i kërkosh çdo fqinji të Serbisë të kalojë përgjithmonë në versionin serb të historisë”, përfundoi kryeministri shqiptar.
Në fund, Rama iu rikthye metaforës së lumit Ibër, duke theksuar se, pavarësisht debateve politike dhe historike, lumi vazhdon të ndjekë rrjedhën e përcaktuar nga gjeografia.
“Dhe ndërkohë Ibri, plotësisht i pavetëdijshëm për të gjithë kartografinë tonë historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë e jo folklorit.”

