Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullim për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Kufizimi do të zbatohet në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të parashikuara prej 32°C ose më shumë.
Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të lejohet pa kufizime.
Nga masa përjashtohen:
- automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike;
- automjetet e shërbimeve emergjente;
- automjetet e institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve të transportit të planifikojnë udhëtimet në përputhje me orarin e kufizimit dhe të respektojnë masën për shkak të temperaturave të larta.

