Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion antidrogë, gjatë të cilit janë sekuestruar rreth 3 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, dy automjete dhe dy telefona celularë.
Sipas Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar nga Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve (SQHN), pas dyshimeve se dy automjete me targa vendore po transportonin substanca narkotike nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës.
Të dyshuarit nuk iu bindën urdhrave të policisë
Gjatë tentativës për ndalimin e automjeteve, të dyshuarit nuk iu bindën urdhrave zyrtarë dhe, sipas Policisë, goditën zyrtarët policorë në uniformë.
Për neutralizimin e rrezikut, zyrtarët policorë përdorën armën e zjarrit si pajisje zyrtare. Më pas, njësitë policore arritën t’i ndalonin automjetet e dyshuara.
Gjatë kontrollit të njërës prej veturave u gjetën dhe u sekuestruan rreth 3 kilogramë marihuanë.
U realizuan tri bastisje
Në vazhdim të operacionit, Policia realizoi gjithsej tri bastisje në lokacione të ndryshme.
Gjatë bastisjeve, përveç sasisë kryesore të substancës narkotike, u sekuestruan edhe:
- 0.7 gramë marihuanë;
- dy automjete;
- dy telefona celularë.
Të gjitha veprimet operative janë zhvilluar në koordinim me prokurorin kompetent.
Me urdhër të prokurorit, personat e dyshuar, pas arrestimit dhe procedurave të tjera ligjore, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

