Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se sot do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në autoudhë për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Vendimi është marrë në bazë të parashikimit zyrtar të temperaturave, të cilat pritet të arrijnë 32°C ose më shumë.
Kufizimi nga ora 11:00 deri në 17:30
Sipas njoftimit të Ministrisë, kufizimi do të zbatohet në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30.
Ndërkohë, në:
- rrugët nacionale;
- rrugët rajonale;
- rrugët lidhëse
qarkullimi do të lejohet pa kufizime.
Kush përjashtohet nga ndalimi?
Nga kufizimi përjashtohen automjetet që përdoren nga:
- organet e rendit dhe sigurisë publike;
- shërbimet emergjente;
- institucionet shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve të transportit të mallrave që të respektojnë kufizimin dhe ta planifikojnë qarkullimin sipas orarit të përcaktuar.
Kufizimi synon të zbatohet përkohësisht gjatë intervalit me temperaturat më të larta të ditës, në kuadër të masave për mbrojtjen e infrastrukturës rrugore.

