Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me aksionet e fundit të PDK-së në kërkim të konstituimit të Kuvendit dhe, siç pretendon kjo parti, rikthimit të rendit kushtetues.
Hoxhaj ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë dhe të ashpër, duke deklaruar se PDK-ja nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj.
“PDK nuk zbrapset. Liroje zyrën o deputet uzurpator!”
Reagimi i tij vjen në kohën kur PDK-ja po kundërshton vazhdimin e ushtrimit të funksioneve ekzekutive nga Albin Kurti pas marrjes së mandatit të deputetit, duke argumentuar se një deputet nuk mund të ushtrojë njëkohësisht detyrën e kryeministrit.
Partia ka paralajmëruar se do të vazhdojë veprimet politike dhe rrugët ligjore lidhur me këtë çështje, ndërsa përplasja mes PDK-së dhe LVV-së po mbetet një nga pikat kryesore të krizës aktuale institucionale.
Hoxhaj e ka shoqëruar reagimin me etiketimet #Demokraci, #Kushtetute dhe #PDK.

