Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike, ose përfaqësuesit e tyre, në një takim të përbashkët të martën në ora 09:00.
Sipas ftesës, takimi ka për qëllim zhvillimin e dialogut politik dhe institucional për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.
Takimi i thirrur nga Haxhiu vjen një ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) njoftoi se heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri, përfshirë edhe kërkesën për postin e presidentit.
LDK-ja ka deklaruar se është e gatshme të diskutojë për një kandidat konsensual për president, duke theksuar se synimi është tejkalimi i krizës institucionale dhe jo përfitimi partiak.
Këtë qëndrim e ka mirëpritur të premten edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti. Ai ka bërë thirrje që në diskutimet për zgjedhjen e një figure unifikuese për president të përfshihen edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Takimi i së martës pritet të jetë një nga përpjekjet kryesore për të gjetur një zgjidhje politike, pas dështimit të negociatave për një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së për formimin e institucioneve të reja.

