Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e ngërçit institucional.
Dehari ka paralajmëruar se vazhdimi i seancës konstitutive pa një marrëveshje politike mund ta përshkallëzojë situatën dhe të rrisë rrezikun e përplasjeve brenda Kuvendit.
“Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka shkruar Dehari.
Mirëpret ftesat e Kurtit dhe Haxhiut
Dehari ka thënë se e mirëpret ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe atë të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për konsultime me partitë politike.
Deri tani, ftesa e Haxhiut është refuzuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas Deharit, zgjidhja e situatës kërkon përgjegjësi politike dhe dialog ndërmjet subjekteve parlamentare.
“Si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual”, ka deklaruar ai.
Dehari: Pa marrëveshje për presidentin, vendi shkon në zgjedhje
Dehari ka theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e presidentit do të mund ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.
“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka thënë ai.
Ai ka rikujtuar se qytetarët e Kosovës janë thirrur tri herë në zgjedhje gjatë dy viteve të fundit, duke u bërë thirrje liderëve politikë që të gjejnë një zgjidhje dhe të shmangin një tjetër proces zgjedhor.
“Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme”, ka përfunduar Dehari.
Ngërçi në Kuvend
Të premten e kaluar ka skaduar afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e legjislaturës së re. Deputetët kanë dhënë betimin, por procesi është bllokuar në pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte deklaruar se nuk do ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit pa arritur paraprakisht një marrëveshje me partitë politike për presidentin.
Kjo ka bërë që procesi i konstituimit të Kuvendit të mbetet pezull, ndërsa partitë politike tashmë po përballen me presionin për të gjetur një zgjidhje para se kriza institucionale të kalojë në një cikël të ri zgjedhor.

