Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka refuzuar ftesën për takimin e së martës të thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me liderët e partive politike.
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, përmes një letre drejtuar Haxhiut, ka vënë në pikëpyetje rolin e saj në përpjekjet për ndërmjetësim mes subjekteve politike.
Gjini ka deklaruar se Haxhiu nuk është presidente e zgjedhur dhe, sipas tij, nuk ka mandat për të luajtur rolin e “unifikueses së spektrit politik”.
“Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”, ka shkruar Gjini.
Gjini: Po kërkoni fajtor për vendimin që veçse e keni marrë
Kreu i AAK-së ka akuzuar Haxhiun dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, se takimin nuk po e thërrasin për të gjetur një zgjidhje për krizën institucionale.
Sipas Gjinit, qëllimi është që përgjegjësia për situatën t’u atribuohet subjekteve të tjera politike.
“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje”, ka deklaruar ai.
Gjini ka paralajmëruar se, sipas vlerësimit të AAK-së, takimi mund të përdoret për të zvarritur situatën institucionale deri në një datë që i përshtatet Vetëvendosjes.
“Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet. Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi”, thuhet në letrën e tij.
AAK: I keni gjashtë pikat tona
Gjini ka thënë se nëse qëllimi është realisht sigurimi i votave dhe kuorumit për funksionalizimin e institucioneve, Haxhiu dhe subjektet që mbështesin qeverisjen aktuale tashmë i kanë në dispozicion gjashtë pikat e propozuara nga AAK-ja.
“Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, ka shkruar Gjini.
Refuzimi i AAK-së vjen pasi edhe PDK-ja ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu, duke e cilësuar ftesën si “tentativë manipulimi”.
Kështu, përpjekja për një takim të përbashkët të partive politike po përballet me kundërshtime të forta nga partitë opozitare, ndërsa ngërçi institucional në Kosovë vazhdon.

