Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për dialog politik dhe marrëveshje ndërmjet partive parlamentare, duke vlerësuar se çështja e zgjedhjes së Presidentit duhet të jetë pikënisja për zhbllokimin e situatës institucionale.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Haxhiu tha se zgjedhjet e shkurtit 2025 ishin zgjedhjet e fundit të rregullta pas përfundimit të një mandati të plotë qeverisës, ndërsa zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe 7 qershorit 2026, sipas saj, ishin të panevojshme dhe të dëmshme për qytetarët dhe buxhetin e Kosovës.
Sipas Haxhiut, fakti që tri procese zgjedhore kanë prodhuar rezultate të përafërta tregon se pa dialog politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk mund të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme institucionale.
“Tre procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultat të përafërt janë dëshmi e bollshme që pa dialogim politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk ka zgjidhje për ecje përpara”, ka deklaruar Haxhiu.
Presidenti, sipas Haxhiut, duhet të jetë pikënisja
Haxhiu ka argumentuar se, edhe pse zgjedhja e Presidentit vjen më vonë në aspektin formal të funksionalizimit të institucioneve, në rrethanat aktuale ajo duhet të jetë hapi i parë politik.
“Është evidente që pa marrëveshje për të i çelet rrugë një procesi të ri zgjedhor, që praktikisht nuk do të sjellë asgjë të re. Aq më pak zgjidhje”, ka thënë ajo.
Sipas saj, një marrëveshje paraprake për Presidentin do të mundësonte më pas konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, duke shmangur një tjetër proces zgjedhor.
PDK dhe AAK refuzuan takimin
Haxhiu ka bërë të ditur se ka ftuar në takim krerët e të gjitha subjekteve politike parlamentare, me qëllim gjetjen e një konsensusi politik.
Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë refuzuar pjesëmarrjen në takim.
Haxhiu e ka cilësuar këtë qëndrim si të gabuar dhe si mungesë vullneti për tejkalimin e krizës institucionale.
“Më lejoni të shpreh keqardhjen time të plotë që, pavarësisht ftesës sime të sinqertë, subjektet politike si PDK dhe AAK refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe, mbi të gjitha, mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese”, ka deklaruar Haxhiu.
Haxhiu: Zgjedhjet duhet të jenë opsioni i fundit
U.D. e Presidentes ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë dhënë mesazhin e tyre përmes zgjedhjeve, ndërsa përgjegjësia tani u takon liderëve politikë që të gjejnë një zgjidhje institucionale.
“Kosova ka nevojë për shumë punë. Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit, nëse jo fare opsion”, është shprehur ajo.
Haxhiu ka shprehur shpresën se deri të martën do të ketë reflektim nga partitë politike dhe se takimi konsultativ do të mund të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje.
Kriza institucionale në Kosovë vazhdon ndërkohë që partitë politike mbajnë qëndrime të kundërta për mënyrën e zhbllokimit të Kuvendit dhe për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

