Ka nisur asfaltimi i një pjese të magjistrales në Ferizaj, ndërsa punimet pritet të përfundojnë në fillim të shtatorit.
Kështu ka bërë të ditur deputeti Dimal Basha, i cili ka përcjellë nga afër punimet në terren. Sipas tij, aktualisht po asfaltohet segmenti nga Ura e Vogël, pranë Mobilerisë Migros, deri te restoranti “Ballkani”.
Basha ka njoftuar se segmenti nga rruga “Driton Islami” deri te restoranti “Ballkani” pritet të përfundojë me të dyja shtresat e asfaltit dhe të hapet për qarkullim më 5 shtator 2026.
“Po angazhohemi që punimet të ecin sipas planit, në mënyrë që ta lehtësojmë sa më shpejt qarkullimin dhe bizneset tona në Ferizaj të kenë një rrugë moderne dhe me cilësi të lartë”, ka deklaruar Basha.
Punimet do të vazhdojnë në segmentet tjera
Pas përfundimit të këtij segmenti, sipas Bashës, asfaltimi do të vazhdojë nga rruga “Driton Islami” në drejtim të rrugës “Vëllezërit Gërvalla”.
Paralelisht, po zhvillohen punime edhe në segmentin nga rruga “Vëllezërit Gërvalla” drejt Urës së Madhe, i cili, sipas njoftimit, është drejt përfundimit.
Punimet synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit në një nga segmentet e rëndësishme të komunikacionit në Ferizaj.

