Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë vendosur të hënën gurthemelin e Parkut Industrial në fshatin Livadicë.
Projekti ka një vlerë prej 3.1 milionë eurosh dhe synon të krijojë një hapësirë të re për zhvillimin e bizneseve, prodhimin vendor dhe investimet në këtë komunë.
Kurti tha se qëllimi i Qeverisë është forcimi i prodhimit vendor dhe rritja e produkteve të prodhuara në Kosovë, me synimin për të zëvendësuar importet dhe për të rritur eksportet.
“Synimi ynë si Qeveri është ta transformojmë ekonominë e Kosovës, ta forcojmë prodhimin vendor dhe të krijojmë sa më shumë produkte në lloje dhe në numër ‘Made in Kosova’, ashtu që jo vetëm t’i zëvendësojmë importet, por edhe të rrisim eksportet në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, parqet industriale do t’u shërbejnë bizneseve vendore që synojnë zgjerimin e kapaciteteve, pjesëtarëve të diasporës që dëshirojnë të investojnë në vendlindje, si dhe investitorëve të huaj që shohin mundësi për të zhvendosur një pjesë të prodhimit në Kosovë.
Kurti theksoi se Parku Industrial në Livadicë përbën një hap konkret drejt krijimit të kushteve më të mira për investime, prodhim dhe zhvillim ekonomik në Podujevë.
“Kjo nënkupton më shumë vende pune, më shumë të ardhura për familjet dhe gjithsesi më shumë mundësi për të rinjtë tanë”, tha ai.
Kusari-Lila: Janë duke u aktivizuar 16 zona industriale
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se ekonomia e Kosovës është dyfishuar që nga viti 2019, ndërsa eksporti i shërbimeve ka arritur në rreth 4 miliardë euro.
Megjithatë, ajo vlerësoi se deficiti tregtar i produkteve mbetet një nga sfidat kryesore, duke e bërë zhvillimin e infrastrukturës industriale një prioritet.
Kusari-Lila bëri të ditur se ministria është duke punuar në aktivizimin e 16 zonave industriale në Kosovë.
Bulliqi: Projekti më i rëndësishëm ekonomik për Podujevën
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e cilësoi Parkun Industrial si një nga projektet më të rëndësishme ekonomike për komunën.
Ai tha se projekti është mirëpritur nga bizneset, pasi Podujevës për shumë vite i ka munguar një hapësirë e tillë e dedikuar për zhvillimin e veprimtarisë ekonomike dhe prodhuese.
Parku Industrial në Livadicë pritet të krijojë një bazë të re për investime dhe zhvillim të sektorit privat në Podujevë, ndërsa institucionet synojnë që përmes zonave industriale të rrisin prodhimin vendor dhe mundësitë e punësimit.

