Shtëpia princërore e Lihtenshtajnit ka njoftuar ndryshimin e rregullave të trashëgimisë, duke kaluar nga sistemi i parëlindjes mashkullore në parëlindjen absolute.
Vendimi u njoftua nga Princi Trashëgimtar Alois, i cili tha se ndryshimi është miratuar me shumicën e nevojshme prej dy të tretash të anëtarëve të familjes princërore që kanë të drejtë vote për çështje të tilla.
“Linja e trashëgimisë do të përshtatet nga parëlindja mashkullore në parëlindja absolute”, tha Alois.
Sipas tij, kjo do të thotë se fëmija i parë i lindur, pavarësisht nëse është djalë apo vajzë, do të ketë të drejtën e trashëgimisë së fronit.
Ndryshimi nuk prek linjën aktuale
Reforma nuk ndryshon menjëherë rendin aktual të trashëgimisë.
Shtëpia princërore ka sqaruar se rregulli i ri do të zbatohet vetëm për pasardhësit e ardhshëm të fëmijëve të Aloisit dhe Princeshës Trashëgimtare Sophie.
Aktualisht, në krye të linjës së trashëgimisë është djali i madh i Aloisit, Princi Joseph Wenzel, 31 vjeç. Pas tij renditet vajza e tij e dytë, Princesha Marie Caroline, 29 vjeç.
Kjo do të thotë se ndryshimi i ri nuk e përmbys trashëgiminë ekzistuese, por përcakton rregullat për gjeneratën e ardhshme.
Një monarki me pushtet të madh
Lihtenshtajni, shtet me rreth 40 mijë banorë, ndodhet mes Zvicrës dhe Austrisë dhe ka një sistem monarkik më të fuqishëm se shumica e monarkive evropiane.
Princi në fuqi ka kompetenca të rëndësishme kushtetuese, përfshirë emërimin e gjyqtarëve, shkarkimin e qeverisë dhe të drejtën e vetos ndaj rezultateve të referendumeve.
Princi Hans-Adam II mbetet kreu i shtetit, ndërsa në vitin 2004 ia transferoi pjesën më të madhe të kompetencave djalit të tij, Aloisit.
Nga vendi i fundit për votën e grave te kryeministrja e parë
Vendimi për ndryshimin e trashëgimisë vjen në një vend që historikisht ka qenë ndër më konservatorët në Evropë.
Lihtenshtajni u dha grave të drejtën e votës në zgjedhjet kombëtare vetëm në vitin 1984, duke u bërë shteti i fundit evropian që e ndërmori këtë hap.
Ndërkohë, vitin e kaluar, Brigitte Haas u bë kryeministrja e parë grua në historinë e principatës.
Ndryshimi i rregullave të fronit shënon kështu një tjetër hap të rëndësishëm në modernizimin gradual të institucioneve të një prej monarkive më të veçanta të Evropës.

