Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore për vitin e ri shkollor.
Përmes një komunikate, ministria ka njoftuar se negocimi i çmimeve të teksteve mësimore me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar.
Për këtë arsye, katalogu përfundimtar i teksteve shkollore dhe çmimet përkatëse nuk është publikuar ende në faqen zyrtare të ministrisë.
Çmimet do të publikohen pas përfundimit të negociatave
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pas përfundimit të procesit të negocimit me shtëpitë botuese do të publikohet katalogu përfundimtar, ku do të përcaktohen edhe çmimet e teksteve.
Po ashtu, ministria do të përcaktojë shumën përkatëse për blerjen e librave për secilin nxënës.
“Prindërit dhe kujdestarët ligjorë” janë porositur që të presin publikimin zyrtar të katalogut dhe të mos bëjnë blerje paraprake të teksteve mësimore.
Thirrje edhe për libraritë
Ministria u është drejtuar edhe librarive dhe shitësve të teksteve shkollore, duke u kërkuar që të mos fillojnë shitjen e librave para përfundimit të procedurave dhe publikimit të njoftimit zyrtar.
MASh ka apeluar që për çdo informacion lidhur me tekstet, çmimet dhe procedurat e blerjes, prindërit dhe të interesuarit t’u referohen vetëm njoftimeve dhe publikimeve zyrtare të ministrisë.
Pra, këshilla për prindërit është e qartë: mos i blini ende librat. Pritni katalogun zyrtar dhe çmimet përfundimtare.

