Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë temperaturave të larta dhe ka publikuar disa rekomandime për mbrojtjen nga vapa.
Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, IKSHPK thekson se temperaturat e larta mund të ndikojnë në shëndetin e qytetarëve dhe këshillon që gjatë ditëve të nxehta të merren masa të thjeshta parandaluese.
Këto janë rekomandimet e IKSHPK-së:
Pini ujë shpesh – Shmangni pijet me sheqer dhe alkool dhe kujdesuni që trupi të jetë i hidratuar gjatë gjithë ditës.
Qëndroni në hije – Kufizoni daljet dhe aktivitetet në diell gjatë orëve më të nxehta, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 17:00.
Vishni rroba të lehta – Rekomandohet të vishni rroba të holla dhe të hapura, ndërsa një kapelë mund të ndihmojë në mbrojtjen nga rrezet e diellit.
Kujdesuni për të moshuarit – Personat e moshuar janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta dhe duhet të kontrollohen e të ndihmohen gjatë ditëve të nxehta.
Mos i lini fëmijët në makina – IKSHPK paralajmëron që fëmijët të mos lihen as për pak minuta në automjete, pasi temperatura brenda makinës mund të rritet shumë shpejt dhe të paraqesë rrezik serioz.
Instituti këshillon gjithashtu qytetarët të përdorin krem mbrojtës nga dielli dhe syze dielli, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar për personat me sëmundje kronike.
IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të kujdesen për veten dhe për të tjerët dhe, në rast të shfaqjes së simptomave të rënda të lidhura me nxehtësinë, të kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Kujdesuni për veten dhe për të tjerët!”, është mesazhi i IKSHPK-së.
Instituti ka theksuar edhe më herët rëndësinë e mbrojtjes së grupeve më të ndjeshme gjatë temperaturave të larta, përfshirë të moshuarit.

