Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar në 30-vjetorin e vdekjes biologun, fiziologun, akademikun dhe rektorin e parë të Universitetit të Prishtinës, Dervish Rozhajën.
Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka vlerësuar kontributin e Rozhajës në zhvillimin e shkencës, arsimit të lartë dhe jetës publike në Kosovë.
“30 vite më pas nga dita kur ai vdiq, më 23 gusht të vitit 1996, e kujtojmë Dervish Rozhajën, njërin ndër personalitetet më të shquara të shkencës, arsimit dhe jetës publike në historinë e Kosovës”, shkroi Kurti.
Sipas tij, pas Luftës së Dytë Botërore, Universiteti i Prishtinës ishte institucioni më i rëndësishëm arsimor për shqiptarët jashtë Shqipërisë.
Rozhaja ishte profesor universitar, rektori i parë i Universitetit të Prishtinës dhe anëtar, nënkryetar e më pas kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Rektori i parë i Universitetit të Prishtinës
Dervish Rozhaja lindi në vitin 1934 në Pejë, ku kreu arsimin fillor. Shkollën e mesme e përfundoi në Gjakovë në vitin 1949, ndërsa më pas studioi biologji në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në vitin 1954.
Katër vjet më vonë, në moshën vetëm 24-vjeçare, ai mbrojti doktoraturën, duke u bërë, sipas të dhënave të publikuara nga Kurti, doktori më i ri në moshë në ish-Jugosllavi.
Në vitet 1954–1955, Rozhaja punoi si profesor i biologjisë në Shkollën Normale të Prishtinës, ndërsa karrierën universitare e nisi në vitin 1960, kur filloi të ligjëronte në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Prishtinës.
Me themelimin e Universitetit të Prishtinës, në vitin 1970, Rozhaja u zgjodh rektori i parë i universitetit.
Më 13 shkurt 1970, në mbledhjen e parë ku u zgjodhën organet drejtuese të universitetit, ai u zgjodh rektor. Dy ditë më vonë, më 15 shkurt, në mbledhjen solemne themeltare të Universitetit të Prishtinës, të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, Rozhaja mbajti fjalimin e tij si rektor i parë.
Në atë fjalim, ai theksoi rëndësinë e shkencës për zhvillimin e shoqërisë dhe progresin.
“Shoqëria po e përvetëson gjithnjë e më shumë shkencën si faktor kapital të zhvillimit dhe progresit, e shkenca po kalon gjithnjë e më shumë në duart e shoqërisë.”
U specializua në Bashkimin Sovjetik dhe SHBA
Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, Rozhaja u specializua në dy prej qendrave më të rëndësishme shkencore të dy blloqeve rivale.
Në vitet 1962–1963, ai u specializua në Institutin Fiziologjik të Akademisë së Shkencave të BRSS-së në Leningrad.
Një dekadë më vonë, në vitet 1973–1974, ai vazhdoi specializimin në Institutin Neurologjik të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos, në Shtetet e Bashkuara.
Vdiq në moshën 62-vjeçare
Dervish Rozhaja vdiq në Prishtinë më 23 gusht 1996, në moshën 62-vjeçare.
Në përvjetorin e 30-të të vdekjes së tij, Kurti e cilësoi Rozhajën si një figurë të rëndësishme të shkencës, arsimit dhe jetës publike në Kosovë.
Ai theksoi se Rozhaja do të kujtohet për kontributin e tij shkencor, profesional dhe institucional, si dhe për rolin e tij në themelimin dhe zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

