Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, nesër do të paraqitet në bankën e të akuzuarve, pas gjashtë muajsh në arrest shtëpie, në kuadër të procesit gjyqësor për keqpërdorimin e dyshuar të rreth 8.2 milionë eurove në Lotarinë Shtetërore.
Në të njëjtin rast është i akuzuar edhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili aktualisht ndodhet në arrati. Në mesin e të akuzuarve është edhe ish-sekretari i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe kryetari dhe anëtarët e bordit të Lotarisë Shtetërore.
Procesin do ta drejtojë gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jovevski.
Prokuroria: U blenë aparate VLT që nuk ishin të nevojshme
Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohen se kanë ndërmarrë veprime për furnizimin e Lotarisë Shtetërore me aparate VLT, edhe pse këto pajisje nuk ishin të nevojshme dhe, sipas Prokurorisë, nuk janë përdorur.
Hetimi fillimisht ishte zhvilluar për veprën penale “mashtrim në shërbim”, e cila parashikon dënim nga katër deri në 20 vjet burgim. Megjithatë, pas përfundimit të hetimit, Prokuroria ka ngritur aktakuzë për “keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar”, vepër për të cilën dënimi maksimal i paraparë është pesë vjet burgim.
Prokuroria ka deklaruar se provat e mbledhura gjatë hetimit kanë mbështetur akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe jo për mashtrim në shërbim.
Si nisi rasti?
Sipas organit të akuzës, ngjarjet datojnë nga 9 maji 2023, kur ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i kishte dorëzuar Qeverisë një informacion lidhur me nevojën për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit.
Përmes këtij informacioni ishte propozuar furnizimi me terminale VLT. Prokuroria pretendon se Bajrami e dinte se furnizimi ishte i panevojshëm dhe juridikisht problematik, pasi Lotaria Shtetërore, sipas legjislacionit në fuqi, nuk kishte të drejtë të organizonte në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit.
Kjo e drejtë, sipas Prokurorisë, që nga viti 2013 i ishte dhënë Videolotarisë Shtetërore “Kazinos Austria”.
Roli i Grubit
Në aktakuzë përmendet edhe roli i Artan Grubit. Prokuroria pretendon se më 6 qershor 2023, Grubi, në cilësinë e zëvendëskryeministrit, kishte udhëhequr seancën e Qeverisë në cilësinë e Asamblesë së Shoqërisë Aksionare, megjithëse, sipas organit të akuzës, ishte në dijeni se kjo asamble nuk kishte kompetencë për të vendosur lidhur me furnizimin me terminale VLT.
Në të njëjtën seancë, informacioni ishte miratuar dhe Lotaria Shtetërore ishte obliguar të ndërmerrte veprime për fillimin e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit dhe furnizimin me aparate VLT.
Prokuroria pretendon gjithashtu se ish-sekretari i Qeverisë, Metodija Dimovski, e kishte futur këtë informacion si plotësim të rendit të ditës, në kundërshtim me Rregulloren e Punës, në vend që ta kthente te organi kompetent.
Të akuzuar edhe anëtarë të komisioneve
Në këtë proces janë përfshirë edhe kryetari dhe anëtarët e komisioneve që kishin zhvilluar dy procedura të veçanta publike.
Ata dyshohen se kanë shfrytëzuar autorizimet zyrtare për të zbatuar procedurën për kalimin e së drejtës për organizimin e lojërave të fatit online, ndonëse, sipas Prokurorisë, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e një procedure të tillë.
Seanca e parë e gjykimit pritet të nisë të hënën, më 24 gusht, ndërsa gjykata do të shqyrtojë pretendimet e Prokurorisë dhe mbrojtjen e të akuzuarve.
