Ndërmarrja Publike “Trainkos”, e cila është në pronësi të Qeverisë së Kosovës, rezulton të ketë zhvilluar një vizitë zyrtare në Serbi në kuadër të një projekti për riparimin e vagonëve të trenave.
Çështja është bërë temë debati publik pasi ndaj një punëtori të Trainkos-it janë ndërmarrë masa disiplinore, pasi ai bëri publike se vagonët e ndërmarrjes ishin dërguar në Serbi për riparim.
Punëtori ka deklaruar se nuk ka dhënë informacione të rreme dhe ka shprehur shqetësimin për shpenzimin e mjeteve publike.
“Nuk kam rrejtë kurrgjë”, ka deklaruar ai, duke thënë se si qytetar i ka ardhur keq që “gjysmë milioni euro” janë shpenzuar për riparimin e vagonëve në Serbi.
Dokumenti i brendshëm dëshmon vizitën
Sipas një dokumenti të brendshëm të publikuar ne Facebook nga Daut Haradinaj, Komisioni për Pranim të Projektit “Riparim i Mesëm i Vagonëve” ka njoftuar drejtuesit e Trainkos-it për udhëtimin e anëtarëve të komisionit në Serbi.
Dokumenti lidhet me procedurën e pranimit të punimeve të kryera në kuadër të projektit të riparimit të vagonëve.
Kështu, ndërsa ndërmarrja ka marrë masa ndaj punëtorit që e bëri publike çështjen, dokumentacioni i brendshëm i Trainkos-it tregon se zyrtarë të ndërmarrjes kanë udhëtuar zyrtarisht në Serbi në lidhje me projektin.
Rasti ka hapur diskutime mbi prokurimin, shpenzimin e parasë publike, transparencën e ndërmarrjeve publike dhe arsyeshmërinë e dërgimit të vagonëve për riparim në Serbi, veçanërisht në një kohë kur marrëdhëniet institucionale Kosovë–Serbi mbeten të tensionuara.
Për momentin, mbetet e rëndësishme që Trainkos të sqarojë publikisht vlerën e saktë të kontratës, kompaninë përfituese, procedurën e prokurimit, arsyetimin teknik për zgjedhjen e një operatori në Serbi dhe bazën ligjore për realizimin e kësaj vizite zyrtare.


