Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka bërë thirrje për një qasje të re politike, duke e cilësuar PDK-në si faktor të rëndësishëm për stabilizimin dhe normalizimin e institucioneve të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Mustafa ka theksuar nevojën për t’u mbështetur në vlerat dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti, ndërsa ka kërkuar fokus te rezultatet konkrete.
“Koha për të lëvizur përpara është TANI!”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka deklaruar se PDK-ja përmes një koalicioni mund të shërbejë si “balancë” për kujdesin dhe normalizimin e shtetit.
“Mbi bazën e rrënjëve tona të forta dhe vlerave që na ngritën deri këtu, është koha të shkruajmë kapituj të rinj suksesesh.”
Mustafa ka bërë thirrje për mbrojtjen e shtetit dhe të vlerave të tij, duke e vënë theksin te përgjegjësia dhe rezultatet.
Në fund të postimit, ai ka përdorur mesazhin politik: “VV-PDK bashkë munden!”
Deklarata vjen në një periudhë kur skena politike në Kosovë është e përqendruar te zhbllokimi institucional dhe mundësitë për bashkëpunime të reja ndërmjet subjekteve politike.

