E marta në Kosovë pritet të karakterizohet me mot shumë të nxehtë, me diell dhe shtim gradual e lokal të vranësirave.
Gjatë mëngjesit, paradites dhe mesditës pritet të mbajë kryesisht mot me diell dhe vapë të fuqishme verore. Ndërsa gjatë pasdites, në disa pjesë të vendit pritet zhvillim i vranësirave, të cilat mund të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu, vetëtima dhe bubullimë.
Zhvillimet atmosferike pritet të jenë kryesisht të përqendruara në veri, verilindje dhe veriperëndim të Kosovës. Lokalisht, rrebeshe mund të paraqiten edhe në disa vise të tjera, sidomos në zonat kufitare me Maqedoninë e Veriut.
Reshjet do të jenë të karakterit lokal dhe nuk pritet të përfshijnë tërë territorin e vendit.
Temperaturat do të luhaten nga 17°C në mëngjes deri në 37°C gjatë ditës.

