Grupi Parlamentar i PDK-së dhe Aleancës, së bashku me asamblistë, drejtorë dhe aktivistë, kanë vazhduar të martën aksionet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar zhbllokimin e institucioneve dhe konstituimin e Kuvendit.
Asamblistja e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fjolla Vukshinaj-Reçica, tha se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta edhe për komunat dhe qytetarët.
“Bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk është vetëm një debat abstrakt politik, nuk është vetëm një derë e mbyllur në këtë ndërtesë. Pas çdo dite që Kuvendi mbahet i mbyllur, është një qytetar që pret, një familje që ka një hall, një komunë që ka një projekt dhe një nevojë që mbetet pa zë”, tha Vukshinaj-Reçica.
Ajo argumentoi se një Kuvend jofunksional nuk mund t’u përgjigjet në mënyrë adekuate nevojave të qytetarëve.
Vukshinaj-Reçica i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të mundësojë funksionimin e Kuvendit.
“Zotëri Kurti, zhbllokoje Kuvendin, riktheje funksionimin e institucioneve, ktheja qytetarëve zërin që iu takon, sepse Kosova nuk mund të mbahet në pritje, ndërsa qytetarët vazhdojnë t’i paguajnë çdo ditë faturat e kësaj bllokade”, u shpreh ajo.
Deliu-Kodra: Të rikthehet kushtetutshmëria
Deputetja e betuar e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kërkoi rikthimin e, siç tha ajo, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.
“Ne sot po ia themi troç Albin Kurtit dy gjëra. E para, që ai dhe ministrat e tij që janë në këtë objekt, janë uzurpatorë dhe duhet ta lirojnë këtë objekt, dhe e dyta, ata duhet të kthehen në Kuvend dhe t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit”, deklaroi Deliu-Kodra.
Tahiri: “Një njeri i vetëm nuk lejon ushtrimin e mandatit”
Edhe deputeti i betuar i Aleancës, Besnik Tahiri, akuzoi Kurtin për bllokimin e konstituimit të Kuvendit.
“Porosia është shumë e thjeshtë, që shkelësi recidivist i Kushtetutës vazhdon të struket në zyrën e vet. Ai, 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës ua ka marrë mandatin që ia ka dhënë populli”, tha Tahiri.
Sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit po pengon deputetët që të ushtrojnë mandatin e tyre të dhënë nga qytetarët.
Tahiri akuzoi Kurtin se, përmes bllokimit institucional, synon të krijojë mundësi që posti i presidentit të kalojë te partia e tij dhe të rikthehet, siç e quajti ai, “logjika parti-shtet”.
Aksionet e opozitës para Qeverisë po zhvillohen në kuadër të presionit politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe krijimin e institucioneve të reja.

