Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar aksionin e saj politik para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe rikthimin, siç shprehet kjo parti, të rendit kushtetues.
PDK ka bërë të ditur se edhe sot, së bashku me asamblistë dhe aktivistë të Komunës së Mitrovicës, ka zhvilluar një protestë para Qeverisë.
“Stop uzurpimit të institucioneve. Rikthim në rendin kushtetues. Konstituim të Kuvendit”, thuhet në deklaratën e publikuar nga partia.
Sipas PDK-së, qytetarët presin punë dhe mbështetje, ndërsa vendi ka nevojë për zhvillim dhe përparim.
“Nuk do të zmbrapsemi. Nuk do të ndalemi. Deri në fitoren e shtetit dhe të qytetarëve!”, ka deklaruar PDK-ja.
Partia opozitare ka intensifikuar aktivitetet e saj politike lidhur me situatën institucionale në vend, duke kërkuar që Kuvendi të konstituohet dhe institucionet të funksionojnë në përputhje me rendin kushtetues.

