Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Arrestohet Ergys Agasi në Durrës, u ndoq për 40 kilometra – ishte në makinë me ish-zyrtarin e Policisë së Elbasanit

Qendra Info by Qendra Info
27/08/2026
in Lajme
0
Arrestohet Ergys Agasi në Durrës, u ndoq për 40 kilometra – ishte në makinë me ish-zyrtarin e Policisë së Elbasanit
0
SHARES
8
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Biznesmeni Ergys Agasi, i shpallur në kërkim prej dhjetorit nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, është arrestuar pasditen e së mërkurës në Durrës. Agasi u lokalizua në Elbasan dhe u ndoq nga policia për rreth 40 kilometra, në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës dhe më pas Durrësit, ku u ndalua në zonën e Plepave.

Operacioni u zhvillua nga Policia e Durrësit në bashkëpunim me SPAK dhe agjentët e BKH-së. Agasi udhëtonte me një automjet luksoz tip Audi.

Pamjet e arrestimit tregojnë momentin kur forcat operacionale rrethojnë automjetin dhe arrestojnë biznesmenin.

Në makinë ishte edhe ish-zyrtari i Policisë së Elbasanit

Në të njëjtin automjet ndodhej edhe Ulian Shpataraku, ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Elbasanit, i cili gjithashtu ishte shpallur në kërkim.

Shpataraku dyshohet se kishte shoqëruar Agasin, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza për përkrahje të autorit të krimit. Ai është arrestuar në flagrancë.

Shpataraku kishte mbajtur më herët detyrën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Elbasanit dhe, sipas raportimeve, ishte afruar pranë ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Pas arrestimit, agjentët e BKH-së kanë kryer edhe kontrolle në banesën e Shpatarakut në zonën e Liqenit të Thatë.

Agasi dyshohet se drejtonte një grup kriminal

Arrestimi i Agasit lidhet me hetimet e SPAK për abuzimet me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sipas hetimeve të bëra publike, Agasi dyshohet se ishte në krye të një grupi që, përmes presioneve, ndikimit dhe konkurrencës së pandershme, paracaktonte fituesit e tenderëve të AKSHI-t.

Në llogaritë e kompanisë së tij, EA Solution, sipas dosjes hetimore, janë derdhur mbi 1.05 miliardë lekë dhe mbi 470 mijë euro nga kompani të ndryshme.

Në dosje përmenden gjithashtu pagesa të konsiderueshme për verëra të shtrenjta, të cilat hetuesit dyshojnë se kanë shërbyer si formë shpërblimi për sigurimin e kontratave publike.

SPAK dyshon se Agasi kishte lidhje të ngushta me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila është marrë e pandehur në kuadër të hetimit dhe ndodhet nën masën e detyrimit për paraqitje.

Shtatë akuza ndaj biznesmenit

Agasit i janë atribuuar të paktën shtatë vepra penale, ndër të cilat:

  • grup i strukturuar kriminal;
  • konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës;
  • heqje e paligjshme e lirisë;
  • shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike;
  • korrupsion.

Në kuadër të hetimit, autoritetet i kanë sekuestruar Agasit 29 prona, përfshirë apartamente, vila dhe sipërfaqe toke në Tiranë dhe Durrës, si dhe llogari bankare dhe kompaninë EA Solution. Në mesin e pasurive të sekuestruara është edhe një pjesë e Equos Resort.

Agasi qëndron 48 orë në Bllokun e Sigurisë

Pas arrestimit në Durrës, Agasi u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku mbërritën edhe agjentët e BKH-së për procedurat përkatëse.

Pas rreth tre orësh, ai u transferua në Bllokun e Sigurisë, ku do të qëndrojë deri në daljen para GJKKO-së për vlerësimin e masës së sigurisë.

Agasi ishte shpallur në kërkim prej dhjetorit, ndërsa bashkë me të në kërkim ishte edhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua më herët në Francë dhe ndodhet në proces ekstradimi drejt Shqipërisë.

Arrestimi i Agasit shënon një zhvillim të rëndësishëm në dosjen e AKSHI-t, ndërsa pritet që para GJKKO-së të dalin në pah detaje të tjera mbi mënyrën se si, sipas SPAK-ut, funksiononte skema e tenderëve dhe marrëdhëniet mes biznesmenëve dhe zyrtarëve publikë.

Related

Previous Post

Champions League: Muriqi çon Fenerbahçen në fazën e ligës, Hoxha shënon por eliminohet – AEK-u i shqiptarëve kalon më tej

Next Post

“Nuk kemi gjak për të shkelur”: PDK dhe Aleanca i bëjnë thirrje Kurtit të zhbllokojë institucionet

Next Post
“Nuk kemi gjak për të shkelur”: PDK dhe Aleanca i bëjnë thirrje Kurtit të zhbllokojë institucionet

“Nuk kemi gjak për të shkelur”: PDK dhe Aleanca i bëjnë thirrje Kurtit të zhbllokojë institucionet

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.