Fenerbahçe, AEK Athinë, Viking dhe Slovan Bratislava janë katër skuadrat e fundit që siguruan kualifikimin në fazën e ligës së Champions League, pas përfundimit të ndeshjeve të play-off-it.
Muriqi protagonist, Fenerbahçe eliminon Lyonin
Në Francë, Fenerbahçe arriti një fitore të madhe 2-1 ndaj Lyonit dhe, me rezultatin e përgjithshëm 3-2, siguroi një vend në fazën e ligës.
Vedat Muriqi ishte protagonist, duke shënuar golin e parë të sfidës në minutën e 24-t. Brown realizoi më pas golin e dytë për skuadrën turke, ndërsa Fofana shënoi për Lyonin në pjesën e dytë.
Fenerbahçe, që këtë sezon ka investuar fuqishëm në skuadër, rikthehet në fazën kryesore të Champions League pas 17 vitesh. Në përbërjen e saj janë emra të njohur si Ederson, Aké, Škriniar, Kanté, Guendouzi, Talisca, Greenwood, Muriqi dhe Lukaku.
Arbër Hoxha shënon, por Dinamo eliminohet
Në Stavanger, Viking mposhti Dinamon e Zagrebit 3-1 dhe, me rezultatin e përgjithshëm 5-3, siguroi një kualifikim historik.
Arbër Hoxha i dha avantazhin Dinamos pas vetëm 10 minutash lojë, por norvegjezët reaguan fuqishëm. Tripić nga penalltia, Austbø dhe Saliou Moi përmbysën rezultatin dhe i dhanë Vikingut biletën për fazën e ligës.
Kështu, goli i sulmuesit shqiptar nuk mjaftoi për ekipin kroat.
AEK-u kalon me Strakoshën dhe Pilon
Në Athinë, AEK-u triumfoi me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Levski Sofjes.
Jović, Varga me dy gola dhe Marin nga pika e bardhë vulosën fitoren e skuadrës greke, e cila siguroi kualifikimin në elitën e futbollit evropian.
Në formacionin e AEK-ut ishin titullarë edhe dy futbollistë të Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha dhe Stavro Pilon, duke e bërë kualifikimin edhe më të rëndësishëm për futbollin shqiptar.
Slovan Bratislava shkruan historinë
Kualifikim historik edhe për Slovan Bratislavën, që pas 120 minutave lojë mposhti Celjen në Slloveni me rezultatin 2-1.
Skuadra sllovake, me legjendën Yaya Touré në pankinë, fitoi edhe me rezultatin e përgjithshëm 3-2 dhe siguroi për herë të parë një vend në fazën e ligës së Champions League.
Sot hidhet shorti
Me përfundimin e play-off-it, tashmë janë përcaktuar 36 skuadrat që do të garojnë në fazën e ligës së Champions League.
Shorti do të zhvillohet sot në orën 18:00 në Monaco.
Sipas formatit të ri, secila skuadër do të luajë 8 ndeshje, katër në shtëpi dhe katër në transfertë, kundër tetë kundërshtarëve të ndryshëm.
- Vendet 1-8: kualifikohen direkt në fazën e 1/8-ve;
- Vendet 9-24: luajnë play-off për një vend në 1/8-at;
- Vendet 25-36: eliminohen nga Champions League.
Me Fenerbahçen e Muriqit dhe AEK-un e Strakoshës e Pilonit në fazën e ligës, futbollistët shqiptarë do të kenë sërish një prani të rëndësishme në skenën më të madhe të futbollit evropian.


