Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar Katalogun Zyrtar të Teksteve Shkollore dhe ka ekzekutuar mjetet për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e klasave 1–9 për vitin shkollor 2026/2027.
Sipas njoftimit të Ministrisë, mjetet janë transferuar në llogaritë bankare të prindërve dhe kujdestarëve ligjorë përfitues, pas përfundimit të procesit të verifikimit të aplikimeve të bëra përmes platformës eKosova.
Aplikimi kishte nisur më 27 korrik. Pas verifikimit nga koordinatorët e autorizuar në shkolla dhe kontrollit përfundimtar nga komisioni përkatës i MASh-it, lista e përfituesve iu dërgua Ministrisë së Financave për realizimin e pagesave.
Këto janë vlerat e subvencionimit
Bazuar në çmimet e përcaktuara në katalogun zyrtar, subvencionimi për tekstet shkollore në gjuhën shqipe është:
- Klasat 1 dhe 2 – 60 euro
- Klasa 3 – 65 euro
- Klasa 4 – 70 euro
- Klasa 5 – 80 euro
- Klasat 6 dhe 7 – 90 euro
- Klasat 8 dhe 9 – 100 euro
Ministria njofton se, pas miratimit dhe publikimit të katalogut, prindërit dhe kujdestarët ligjorë mund të blejnë tekstet shkollore.
Çmimet e përcaktuara në katalog janë të detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes. MASh u ka bërë thirrje prindërve që gjatë blerjes të kontrollojnë nëse tekstet shiten me çmimet e përcaktuara zyrtarisht.
Inspektorati nis monitorimin e pikave të shitjes
Nga sot dhe deri në fillimin e vitit të ri shkollor, Inspektorati i Arsimit do të zhvillojë monitorim intensiv të pikave të shitjes së teksteve shkollore, me qëllim verifikimin e respektimit të çmimeve të përcaktuara në katalog.
Pas fillimit të vitit shkollor, inspektimet do të shtrihen edhe në shkolla për të verifikuar nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore.
Prindërit që konstatojnë mospërputhje mes çmimit zyrtar dhe çmimit të shitjes mund ta raportojnë rastin në numrat e MASh-it:
📞 +383 (0) 38 200 65 144
📞 +383 (0) 38 200 65 005
eKosova mbetet e hapur për aplikime
MASh ka njoftuar gjithashtu se sistemi i aplikimit në eKosova mbetet i hapur për fëmijët që ende nuk janë regjistruar në klasën e parë dhe që pritet të regjistrohen në afatin e dytë.
Të hapura mbeten aplikimet edhe për prindërit dhe kujdestarët ligjorë të nxënësve të klasave të tjera, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë aplikuar ende për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.
Ministria e Arsimit thotë se synimi i këtij procesi është lehtësimi i barrës financiare për familjet dhe sigurimi që nxënësit të jenë të pajisur me tekstet shkollore para fillimit të vitit të ri shkollor.

