Ministri ne Detyre, Andin Hoti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e varrimit në Serbi të Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskas, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për gjenocid dhe krime të tjera të rënda të luftës.
Vuçiq ka deklaruar se, nëse familja e Mlladiqit dëshiron që ai të varroset në Serbi, shteti do të ndihmojë që ceremonia të zhvillohet në mënyrë “dinjitoze”.
Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e Hotit, i cili e ka kritikuar ashpër qëndrimin e presidentit serb.
“Nuk çuditem që Vuçiqi dëshiron varrim ‘dinjitoz’ për Mlladiqin. Vazhdoj të çuditem se si, në vitin 2026, në zemër të Evropës, ende ekziston një shtet që nuk e ka përfunduar përballjen me të kaluarën e tij”, ka shkruar Hoti.
Ai ka akuzuar Serbinë se vazhdon të tolerojë glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe ka ngritur pikëpyetje mbi orientimin e saj politik dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
“Kriminelët e luftës vazhdojnë të glorifikohen, ku presidenti i atij vendi i nderon ‘dinjitetshëm’ këta kriminelë të dënuar për gjenocid, dhe në politikën e jashtme bashkëpunon hapur dhe madje edhe armatoset nga Rusia, Kina madje edhe Irani?”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka kritikuar gjithashtu procesin e integrimit evropian të Serbisë, duke vënë në pikëpyetje përputhjen e politikave të Beogradit me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Në vend që të mbahet e izoluar dhe e sanksionuar, për ironi Serbia ka hapur dhjetëra kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai.
Në fund, Hoti ka ngritur pyetjen se çfarë mesazhi përçon Serbia për botën perëndimore dhe BE-në.
“Për çfarë vlera evropiane bëhet fjalë këtu? Çfarë vlera evropiane dhe demokratike paraqet sot Serbia për botën perëndimore dhe Bashkimin Evropian?”, ka shkruar Hoti.
Ai e ka përmbyllur reagimin me një akuzë të ashpër ndaj politikës së Beogradit, duke thënë se “mendësia e errët kriminale, që ende frymëzohet nga xhelatët e viteve ’90, është ulur këmbëkryq në Beograd”.

