Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar marrëveshjen e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Republikës.
I pyetur nga gazetarët për marrëveshjen, Kurti është shprehur optimist, duke thënë se shpreson që procesi të përmbyllet me sukses.
“Tash kemi me shku në një aktivitet tjetër, e kemi edhe një mbledhje të brendshme edhe gjithçka shpresojmë të shkojë mbarë e mirë sepse po mundohemi për të mirë e po punojmë mbarë”, tha Kurti.
Kurti nuk pranoi të komentojë qëndrimin e deputetit të LDK-së, Abdullah Hoti, i cili është shprehur kundër marrëveshjes për kandidaturën e Sejdiut.
Ndërkohë, LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, ku është miratuar marrëveshja e arritur me Vetëvendosjen dhe është mbështetur nominimi i profesor Bekim Sejdiut për president.
Pas Kryesisë, është mbledhur edhe Grupi Parlamentar i LDK-së, në kuadër të përgatitjeve për procesin e votimit në Kuvend.
Marrëveshja ndërmjet LDK-së dhe VV-së për propozimin e Bekim Sejdiut si kandidat për president u bë publike të hënën.
Sejdiu, jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, është propozuar si pjesë e përpjekjeve për tejkalimin e krizës institucionale dhe për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

