Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se nuk ia ka deleguar askujt votën e saj dhe se nuk do ta mbështesë marrëveshjen e arritur ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bajrami ka thënë se mbështetja që ka marrë nga qytetarët nuk i është dhënë për të qenë “numër në Kuvend” apo për t’ia zgjatur pushtetin kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ajo ka kundërshtuar marrëveshjen, duke argumentuar se zgjidhja e krizës institucionale nuk duhet të bëhet në dëm të balancës dhe kontrollit demokratik.
“Prandaj, për mua është e papranueshme që sot, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por mbi të gjitha për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie.
Bajrami ka akuzuar pushtetin aktual për përqendrim të madh të fuqisë institucionale, duke e cilësuar këtë si rrezik për demokracinë.
“Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin, tashmë e dëshmuar kjo që gjashtë vite radhazi”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e LDK-së ka thënë se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, por ka kundërshtuar idenë që shmangia e tyre të përdoret si arsye për të detyruar deputetët të mbështesin marrëveshjen.
Ajo ka pretenduar gjithashtu se emrat e diskutuar për president nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së.
“Nëse nevojiten votat tona, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, vota e një deputeti nuk mund të negociohet në emër të tij dhe më pas ai të mbahet përgjegjës nëse marrëveshja nuk siguron votat e nevojshme.
Bajrami ka kritikuar edhe procesin e konstituimit të Kuvendit, duke pretenduar se janë bërë shkelje kushtetuese dhe se është tejkaluar afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
Në fund, deputetja ka deklaruar se do të vazhdojë ta ushtrojë mandatin e saj sipas bindjeve personale dhe interesit të vendit.
“53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, janë përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt”, ka përfunduar Bajrami.

